Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren i shtohet edhe një Doktor shkence, Driola Susuri
Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren tanimë i shtohet edhe një Doktor shkence, pasi MSc. Driola Susuri, asistente në Fakultetin Juridik-Katedrën Kushtetuese dhe Administrative ka mbrojtur me sukses maksimal disertacionin e doktoratës me titull “Roli i Gjykatës Kushtetuese në forcimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut” në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut.
Punimi i disertacionit dhe mbrojtja janë vlerësuar lartë nga komisioni në përbërje: Prof.Dr. Abdulla Azizi-kryetar, Prof.Dr. Zemri Elezi-mentor, Prof.Asoc.Dr. Kadri Kryeziu-anëtar i jashtëm, Prof.Dr. Mehmet Memeti-anëtar dhe Fadil Zendeli-anëtar.
Driola Susuri studimet themelore në nivelin Bachelor i ka përfunduar në Fakultetin Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Ndërsa studimet pasuniversitare në nivelin Master i ka përfunduar në Universitetin “Hasan Prishtina” në Fakultetin Juridik në drejtimin: Kushtetues dhe Administrativ.
Në tetor të vitit 2018 ka filluar punën si asistente e angazhuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” dhe është zgjedhur asistente e rregullt në këtë fakultet në vitin 2019.