

Organizuar nga Fakulteti Juridik Universiteti “Ukshin Hoti” u mbajt tryezë e rrumbullakët me temën “Ndikimi i Mediave Sociale në Perceptimin e Drejtësisë”
Fakulteti Juridik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në bashkëpunim me bartësit e grantit hulumtues të financuar nga Projekti për Grante i Universitetit “Ukshin Hoti”, organizoi tryezën e rrumbullakët me temën “Ndikimi i Mediave Sociale në Perceptimin e Drejtësisë”.
Kjo tryezë mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike, gjyqësore, prokuroriale, të sigurisë dhe shoqërisë civile, me qëllim të diskutimit të ndikimit të mediave sociale në formësimin e opinionit publik dhe besimit ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Në aktivitet morën pjesë Prorektorja e Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Muharem Faiku, nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Safet Hoxha, zëvendëskryetari i Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Labinot Jetishi, kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, z. Valon Totaj, Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Dr. Islam Qerimi, nga HIBRIT-INFO Dr. Sc. Ditar Kabashi, shefi i sektorit të hetimeve për krime kibernetike nga Policia e Kosovës, z. Fadil Abdyli, komandanti i Policisë në Suharekë, z. Safet Hoxha, avokatët nga Prizreni, Emira Gavazaj-Gashi dhe Valdrin Gashi. Po ashtu, në këtë aktivitet morën pjesë edhe udhëheqësi i Divizionit për Kërkime Shkencore të Universitetit, z. Kushtrim Rrakaqi, profesorë nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, si dhe studentë.
Projekti dhe rezultatet e hulumtimit u prezantuan nga bartësi i projektit, Prof. Asoc. Dr. Enver Buçaj, profesor në Fakultetin Juridik, së bashku me bashkëpunëtorin Prof. Asoc. Dr. Naim Baftiu, profesor në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, si dhe studentët Ledian Berisha, Anida Duja dhe Bardha Elshani.
Gjatë diskutimeve u prezantuan rezultatet e hulumtimit, (i cili ka zgjatur pesë muaj), me temën “Ndikimi i Mediave Sociale në Perceptimin e Drejtësisë”. Hulumtimi analizon rolin e rrjeteve sociale në krijimin e perceptimeve për drejtësinë dhe proceset gjyqësore. Sipas rezultateve të prezantuara, mediat sociale kanë një rol të dyfishtë në shoqëri: nga njëra anë kontribuojnë në rritjen e transparencës, informimit dhe pjesëmarrjes qytetare, ndërsa nga ana tjetër krijojnë sfida serioze për shkak të përhapjes së dezinformatave, lajmeve të rreme dhe fenomenit të “gjykimit publik”.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi ndikimin e komunikimit digjital në opinionin publik, rëndësinë e informimit të saktë dhe nevojën për forcimin e edukimit medial dhe juridik, veçanërisht tek të rinjtë. Në përfundim të diskutimeve u vlerësua se mediat sociale kanë një rol ambivalent në perceptimin e drejtësisë. Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e Universitetit në trajtimin e kësaj teme me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh se mediat sociale në epokën digjitale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme. U theksua se, megjithëse ato kontribuojnë në transparencë dhe informim, njëkohësisht mund të krijojnë dezinformim, polarizim dhe ndikim emocional tek qytetarët.
Në përmbyllje të aktivitetit, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të vlefshëm në këtë tryezë, duke vlerësuar diskutimet profesionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në trajtimin e temave që lidhen me drejtësinë, mediat sociale dhe shoqërinë demokratike.







