

Universiteti i Prizrenit dhe DCAF nisin bashkëpunimin për sesione mbi sigurinë kibernetike në Fakultetin Juridik
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të projektit të DCAF për sigurinë kibernetike, i cili zbatohet në nivel rajonal dhe financohet deri në mars 2026. Palët u dakorduan që në Fakultetin Juridik të UPZ-së të zhvillohen sesione të dedikuara për studentët, me fokus në temat ligjore dhe praktikat e sigurisë kibernetike, duke u dhënë hapësirë sidomos grave dhe vajzave që të rrisin njohuritë dhe kapacitetet e tyre në këtë fushë.
Ky aktivitet, i cili do të realizohet me mbështetje të plotë financiare nga DCAF, do të përfshijë ligjërues profesionistë dhe aktivitete ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike në epokën digjitale.
Rektori Alishani dhe Dekani Faiku falënderuan DCAF për gatishmërinë për bashkëpunim dhe theksuan rëndësinë që ka për studentët e Fakultetit Juridik ofrimi i mundësive praktike për të ndërlidhur arsimimin ligjor me sfidat bashkëkohore të sigurisë.




