

U mbajt ligjërata në kuadër të “Seria e Ligjëratave & Cyber Justice Lab” në Universitetin e Prizrenit
Në kuadër të programit 3-javor “Seria e Ligjëratave & Cyber Justice Lab”, më 24 shkurt 2026, në ambientet e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” u mbajt ligjërata me temën “Qeverisja dhe Korniza Ligjore e Sigurisë Kibernetike”.
Ky program realizohet në bashkëpunim ndërmjet DCAF (Geneva Centre for Security Sector Governance), Women4Cyber Kosovo dhe Universitetit “Ukshin Hoti” Prizrenit, me qëllim ngritjen e kapaciteteve të studentëve në fushën e sigurisë kibernetike, qeverisjes dhe drejtësisë digjitale. Projekti financohet nga Britania e Madhe
Koordinator i programit nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizrenit është Prof. Asoc. Dr. Enver Buqaj, i cili po udhëheq angazhimin institucional dhe koordinimin akademik në kuadër të kësaj nisme.
Ligjërata u mbajt nga Anita Jahiu, dhe asistentja Florijeta Hulaj, ndërsa implementuese e projektit nga DCAF është Leonora Hasani.
Gjatë ligjëratës u trajtuan çështje kyçe që lidhen me mënyrën se si funksionon reagimi ligjor dhe institucional ndaj incidenteve kibernetike në Kosovë, roli i institucioneve përgjegjëse, si dhe boshllëqet ekzistuese në kornizën ligjore dhe mekanizmat e zbatimit. Diskutimet u fokusuan në sfidat praktike që hasen në parandalimin dhe hetimin e krimeve kibernetike, si dhe nevojën për koordinim më të fuqishëm ndërinstitucional.
Studentët pjesëmarrës patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, duke analizuar raste konkrete dhe duke ofruar rekomandime për përmirësimin e politikave dhe praktikave në fushën e sigurisë kibernetike.
“Seria e Ligjëratave & Cyber Justice Lab” synon të kontribuojë në përgatitjen e një gjenerate të re profesionistësh të aftë për të adresuar sfidat në rritje të sigurisë kibernetike, duke integruar perspektivën ligjore dhe atë gjinore në këtë fushë strategjike







