Simeana Beshi, ass. në Fakultetin Juridik, më datë 08.12.2023, ka mbrojtur me sukses disertacionin e Doktoratës me titull: “Harmonizimi i legjislacionit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Bashkimin Evropian dhe rasti i Kosovës
Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren i është shtuar edhe një Doktor Shkence. Simeana Beshi, ass. në Fakultetin Juridik, më datën 08.12.2023, ka mbrojtur me sukses disertacionin e Doktoratës me titull: “Harmonizimi i legjislacionit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Bashkimin Evropian dhe rasti i Kosovës”, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti Juridik dhe ka marrë thirrjen më të lartë shkencore: Doktor Shkence (PhD) nga Shkenca Juridike, fusha shkencore: Financiare-Juridike, nën udhëheqjen e mentorit Prof. dr. Bedri Peci.
Disertacioni i doktoratës dhe mbrojtja u vlerësuan lartë nga Komisioni vlerësues dhe i mbrojtjes në këtë përbërje: Prof. dr. Mejdi Bektashi, Kryetar, Prof. dr. Visar Morina, Anëtar, Prof. ass. dr. Fitore Morina, Anëtar, Prof. ass. dr. Artor Nuhiu, Anëtar, Prof. dr. Kestrin Katro, Anëtare e Jashtme.
Ass. Simeana Beshi PhD, u lind më 15 Maj 1991 në Prizren. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prizren.
Studimet universitare i kreu në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë vitit akademik 2009/10-2013
ku mori titullin: Jurist i diplomuar – Bachelor.
Studimet e Masterit i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Drejtimin Financiar kurse i mbaroi më 22 dhjetor 2015 dhe morri titullin: LL. M. në të Drejtën Financiare.
Studimet e Masterit të dytë i përfundoi në Kolegjin ESLG, më 11 Shtator 2015 ku mori titullin: M.A. në Juridik dhe Menaxhim i Patundshmërive dhe Infrastrukturës.
Ass. Simeana Beshi, ka një përvojë të gjatë dhe të shkëlqyeshme në mësimdhënie. Përvojat e para akademike i filloi si asistente e pastaj si ligjëruese në Kolegjin “FAMA”, në vitet 2015-2019 në lëndët e së drejtës financiare. Më tej, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren ka themeluar marrëdhënie pune që nga viti 2016/17 si asistente e angazhuar. Po ashtu, në semestrin veror të vitit akademik 2017/18, në pozitën e asistentes, ka qenë e angazhuar edhe në programin Master i Përbashkët në Fakultetin Juridik në drejtimin “Qeverisja lokale dhe shoqëria demokratike”.
Në thirrjen akademike Asistent është zgjedhur për herë të parë me datë 1 Tetor 2019 në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ndërsa është rizgjedhur në janar të vitit 2023.
Ass. Simeana Beshi PhD, ishte e angazhuar në pozita menaxheriale në Fakultetin Juridik, të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësinë e Shefes për Mësim me çka vlerësohet se ka dhënë kontribut të madh në procesin mësimor dhe në zhvillimin dhe avancimin e Fakultetit Juridik.
Njëherit nga viti 2019-2022 ka qenë edhe Kryeredaktore e revistës juridiko-sociale “Justiniani II” në Fakultetin Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Po ashtu, është angazhuar edhe si anëtare në komisione të ndryshme në nivel të Universitetit dhe fakultetit.
Ass. Simeana Beshi PhD, në vazhdimësi është e angazhuar edhe në publikimin e punimeve shkencore të indeksuara në platforma kryesore ndërkombëtare.
Gjithashtu, ass. Simeana Beshi PhD, ka qenë pjesëmarrëse në numër të madh të konferencave shkencore ndërkombëtare, kombëtare dhe rajonale, kongrese e simpoziume shkencore, në të cilat ka prezantuar punimet shkencore nga lëmi Juridiko-Financiar ndër vite.