Prof. Dr. Ismet Salihu mbajti ligjëratë publike në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Në Fakultetin Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të shtunën mbajti ligjëratë Prof. Dr. Ismet Salihu me temën: Historiku i shkurtër i legjislacionit penal në Kosove dhe rëndësia e kësaj dege në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Kadri Kryeziu me këtë rast theksoi se është ndër dhe privilegj për studentët e këtij fakulteti por edhe për stafin që të dëgjojnë një ligjëratë nga profesori i nderuar Prof. Dr. Ismet Salihu i cili ka përvojë të gjatë në këtë lëmi, i cili konsiderohet si kuadër me përmasa ballkanike dhe evropiane.
Nje fjalë rasti me këtë rast e mbajti edhe Prof. Dr. Eqrem Zenelaj, bartës i dekoratës “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, i cili e falënderoi profesorin Salihu për ligjëratën e mbajtur.
Prof. Dr. Ismet Salihu, që nga viti 1967 është i angazhuar fillimisht si Asistent e pastaj Profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Profesor Salihu ka vijuar studimet në Universitetin e Zagrebit, ndërsa ka kryer studimet e doktoraturës në Fakultetin Juridik në Universitetin e Lubjanës dhe studimet e posdoktoraturës në Universitetin e Sorbones në Paris. Në disa mandate ka qenë dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës në kohen kur studentët dhe profesorët shqiptar të UP-së u me dhunë u dëbuan nga objektet e tyre nga regjimi i Serbisë. Pas çlirimit të Kosovës së bashku me ekspertët ndërkombëtar ka marrë pjesë aktive në përpilimin e Kodit Penal, Kodit të procedurës penale, ligjit penal për te mitur, ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe në shumë ligje tjera. Gjatë vitit 2006 ishte anëtar i grupit punues për përgatitjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë dhe kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Prof. Salihu është anëtar i 50 punimeve shkencore dhe autor i dhjetëra librave të fushës penale.
Ligjërata u mbajt në kuadër të lëndës E drejta penale, që e ligjëron Prof. Dr. Enver Buqaj.