

Prof. Asoc. Dr. Halim Bajraktari mbajti ligjërata në Universitetin e Evropës Juglindore
Në kuadër të programit të mobilitetit akademik me Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, Prof. Asoc. Dr. Halim Bajraktari ka zhvilluar një sërë ligjëratash dhe aktivitetesh akademike gjatë javës 19–26 maj 2025.
Në kuadër të kësaj vizite, Prof. Bajraktari ligjëroi në dy lëndë të rëndësishme të drejtës ndërkombëtare. Nën ftesën e Prorektores dhe profesoreshës Prof. Dr. Besa Arifi, ai prezantoi temën:
“Diskutim mbi Themelimin, Strukturën dhe Juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale)”
në kuadër të lëndës E Drejta Penale Ndërkombëtare. Ligjërata ngjalli interesim dhe debat të gjallë mes studentëve dhe stafit akademik, duke trajtuar një ndër çështjet më aktuale dhe të ndjeshme në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe asaj tranzicionale në rajon.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Prof. Bekim Nuhija në lëndën E Drejta Ndërkombëtare Publike, Prof. Bajraktari mbajti ligjëratën me titull:
“Sfidat e njohjes së Kosovës dhe Anëtarësimi në OKB”,
duke analizuar nga një perspektivë juridike dhe diplomatike sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përveç ligjëratave, gjatë mobilitetit, Prof. Bajraktari zhvilloi takime me menaxhmentin e Fakultetit Juridik, ku u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik në të ardhmen. Pikat kyçe përfshinë projektet e përbashkëta hulumtuese, organizimin e konferencave shkencore si dhe mundësinë e hapjes së programeve të përbashkëta masteri ndërmjet dy institucioneve.
Kjo vizitë e suksesshme është dëshmi e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe e përkushtimit për avancimin e shkëmbimeve akademike në fushën e drejtësisë.





