

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimi me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD)
Sot më date 26.07.2022, zv. Dekani i Fakulteti Juridik, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof.Asoc.Dr. Kadri Kryeziu ka pritur Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi zt. Ehat Miftaraj dhe znj. Arrita Rezniqi Hulumtuese e lartë ligjore. Qëllimi i takimit ishte lidhja e memorandumit të bashkëpunimi me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) për funksionalizimin e klinikave juridike. Bashkëpunimi në mes të Fakultetit Juridik dhe IKD-së do të përfshijë shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës reciproke në fushën e drejtësisë, si në çështjet penale, civile, administrative dhe praktikën gjyqësore.
Gjithashtu, Fakulteti Juridik përmes ekspertizës së stafit akademik, do të ofrojë përkrahje duke marrë pjesë në aktivitete të IKD-së, që kanë për qëllim përmirësimin e sundimit të ligjit, përkatësisht përmirësimin e zbatimit të drejtë të instituteve të së drejtës. Derisa IKD, në kuadër të projekteve të saj do të përfshijë studentët e Fakultetit Juridik, ku do të ofrojë bashkëpunim dhe mbështetje përmes trajnimeve të specializuara për studentë lidhur me zbatimin në praktikë të drejtësisë penale, civile dhe administrative, duke përfshirë organizimin e ligjëratave dhe punëtorive, monitorimin e seancave gjyqësore dhe paraqitjen e kërkesave për qasje në dokumente publike.
Padyshim që nënshkrimi i këtij memorandum është mjaft i rëndësishëm për studentët e Fakultetit Juridik, ku në mënyrë direket u krijohet mundësia që krahas të mësuarit teorik të kenë qasje edhe në praktikën gjyqësore.
Memorandumi u nënshkrua nga zv.Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.Asoc.Dr. Kadri Kryeziu dhe Drejtor i Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi Zt. Ehat Miftaraj.