

Ligjëratë e Hapur me Prof. Howard Fenton
Më 10 dhjetor 2024, në ora 16:00, në Gjykatoren e Fakultetit Juridik, u mbajt ligjërata e hapur me temën: “The Impact of Academic Programs on Rule of Law in Transitional Countries”, e cila ngjalli interes të veçantë tek studentët dhe stafi akademik.
Ligjërata u drejtua nga Prof. Howard Fenton, Profesor Emeritus i së Drejtës në Ohio Northern University, një emër i njohur ndërkombëtarisht në fushën e sundimit të ligjit. Prof. Fenton ka pasur një karrierë të pasur si konsulent ndërkombëtar dhe drejtor i Qendrës për Qeverisje Demokratike dhe Sundim të Ligjit (2014-2018).
Gjatë ligjëratës, Prof. Fenton ndau përvojat e tij nga angazhimet në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Afrikë, duke theksuar rëndësinë e arsimit juridik dhe reformave institucionale në konsolidimin e sundimit të ligjit në vendet në tranzicion. Diskutimi u fokusua në sfidat dhe mundësitë që ofrojnë programet akademike për fuqizimin e qeverisjes demokratike dhe zhvillimin e një sistemi të drejtësisë të qëndrueshëm.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit Master për Qeverisje Demokratike dhe Sundim të Ligjit, ku studentët patën mundësinë të marrin pjesë aktive dhe të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi temën.
Kjo ligjëratë u cilësua si një mundësi unike për të diskutuar mbi ndikimin e arsimit juridik në vendet në tranzicion dhe për të nxitur reflektimin mbi zhvillimet bashkëkohore në fushën e sundimit të ligjit.







