

Fakulteti Juridik përkujtoi Demonstratat e vitit 1981
Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, “Rikujtimi i Demonstratave të vitit 1981”, ish-i burgosuri politik Prof. Dr. Bajram Kosumi, i dënuar me 15 vjet burg, theksoi se Demonstratat studentore të vitit 1981, janë ngjarje kulmore në historinë e re të vendit, pasi që ato dëshmuan botërisht vendosmërinë e paepur të popullit për çlirim dhe krijim të shtetit të pavarur. Ai shtoi se studentët u ngritën në këmbë, në një revolucion demokratik, duke formuluar kërkesën për Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, në emër të Universitetit, Prorektorja Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, i ndau mirënjohje Prof. Asoc. Dr. Kadri Kryeziut, si profesor i dalluar i Fakultetit Juridik.
Fjalë rasti mbajtën edhe Kryetari i Këshillit Organizativ Prof. Asoc. Dr. Arif Riza, ish-i burgosuri politik Jonuz Jonuzi dhe përfaqësuesit e studentëve, të cilët vlerësuan lartë kontributin e atij brezi që sakrifikuan për çlirimin e vendit.